Biografia

Kandidat për Kryetar i Komunës së Tearcës

Nazim Taipi ka shërbyer komunitetin e Tearcës dhe më gjerë si drejtues politik, menaxher në sektorin publik, sipërmarrës dhe aktivist shoqëror. Ai ka dhënë kontribut në zhvillimin e jetës politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut si Nënkryetar dhe aktualisht si Kryetar i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët. Përvojën e tij ndërkombëtare e ka sjellë në vendlindje duke investuar në projekte që lidhen me zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Ashtu si shumë bashkëqytetarë të tij, Nazimi ka kaluar sfida personale dhe profesionale që i kanë formësuar karakterin. I rritur në Tearcë dhe i zhvilluar profesionalisht në Zvicër, ai i bashkoi vlerat e punës, ndershmërisë dhe solidaritetit për të ndërtuar një rrugë që lidhi Evropën me vendlindjen.

Pas studimeve në Universitetin e Friburgut në Zvicër, ku u diplomua në Ekonomi Politike dhe të Ndërmarrjes dhe më pas magjistroi në Sociologji të Komunikimit, Nazimi ndërtoi një karrierë në sipërmarrje duke krijuar dhe drejtuar kompani në fusha të ndryshme: siguri, sport, ndërtim dhe konsulencë financiare. Këto përvoja e pajisën me aftësi menaxhuese, vizion ekonomik dhe aftësi për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes komuniteteve.

Nga sipërmarrja kaloi në shërbimin publik, ku si zëvendësdrejtor në Ndërmarrjen Publike “Rrugët e Maqedonisë” kishte një rol kyç në realizimin e projektit strategjik të Korridorit 8, një arterie e rëndësishme për lidhjen infrastrukturore të vendit.

Në politikë, Nazimi u bë një nga figurat kyçe të Aleancës për Shqiptarët, fillimisht si Nënkryetar, ku kontribuoi në ndërtimin e platformave politike dhe organizative, dhe sot si Kryetar i Kuvendit të partisë, ku merr pjesë në drejtimin strategjik dhe vendimmarrjen e saj. Në këto role ka treguar aftësi për të krijuar koalicione të gjera, për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të punuar për politika më të drejta dhe transparente.

Përveç funksioneve politike dhe profesionale, Nazimi është i pranishëm në jetën shoqërore dhe komunitare të Tearcës. Ai është nismëtar i themelimit të Shoqatës Humanitare “Tearca” në Zvicër, ku për një periudhë ka shërbyer edhe si Kryetar i saj. Përmes kësaj shoqate dhe angazhimeve të tjera, ka mbështetur projekte kulturore, sportive dhe rinore, duke besuar se investimi te brezi i ri është investimi më i madh për të ardhmen e komunës.

Nazimi njihet si një drejtues i vendosur, bashkëbisedues i arsyeshëm dhe njeri i karakterizuar nga ndershmëria dhe humanizmi. Motoja e tij politike është se “E ardhmja e Tearcës ndërtohet vetëm bashkë me qytetarët”.

Ai është qytetar krenar i Tearcës, të cilën synon ta udhëheqë drejt zhvillimit të qëndrueshëm, transparencës dhe mirëqenies së përbashkët.